Mbahet takimi i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së

Prishtinë, 2 Nëntor 2012

Nën drejtimin e ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Agim Çeku u mbajt  takimi i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së. Në takim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryetari i Komisionit, Agim Çeku e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë aktivitet dhe theksoi edhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Hashim Thaçi që ky obligim të përmbyllet në dobi të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Komisioni ka marrë vendim që nga 15 nëntori të gjitha këto kategori mund të aplikojnë për njohjen zyrtare të statusit të dëshmorit, invalidit të luftës, veteranit, të internuarit të UÇK-së pjesëtarit të UÇK-së. Në takim është aprovuar unanimisht forma e aplikacioneve dhe metodologjia  e aplikacionit.

“Çdo komunë i ka zyrat e shoqatave të dala nga lufta, dhe çdo njëri që dëshiron t’i njihet statusi, duhet të drejtohet në këto zyra, në shoqatën përkatëse”, theksoi z. Çeku dhe shtoi se “pas aplikimit duhet të kërkoj vërtetimin e këtyre të dhënave, nga komandantët përgjegjës nga zinxhiri komandues, nga komandanti i skuadrës deri tek komandanti i Zonës Operative, apo deri tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”.

Më tutje, ministri Çeku ka thënë se “Komisioni vazhdimisht do t’i merr ato aplikacione, do t’i shqyrtojë, do të vërtetoj saktësinë e të dhënave, dhe do ta njoh me nënshkrimin e vet statusin, dhe pas kësaj do t’i gëzojnë të gjitha benefitet e parapara me ligjin, që është aprovuar në Kuvend. Koha e dorëzimit të aplikacionit do të jetë nga 15 nëntori 2012 deri më 28 shkurt 2013”.

“Është ky një rast  i mirë që të vijmë deri tek një numër i saktë i të gjithë atyre, të cilët në radhë të parë kanë rënë për vendin tonë, pastaj invalidët veteranët, gjithë ata që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së” theksoi Çeku.

“Komisioni nuk është këtu për të zvogëluar, cunguar apo mohuar, kontributi i dhënën në UÇK, por që t’iu njihet ai kontribut përmes statusit, në mënyrë që sa më shpejt t’i gëzojnë këto beneficione” – u shpreh z. Agim Çeku.

Në takim u tha se me propozim të kryeministrit Hashim Thaçi të gjitha shpenzimet lidhur me këtë veprimtari të Komisionit do të mbulohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Takimi i radhës i Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së do të mbahet me 14 nëntor 2012.