Nga nesër, e enjte, fillon procesi për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së

Prishtinë, 14 nëntor 2012

Nën drejtimin e ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Agim Çeku u mbajt  takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së.

Në takim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryetari i Komisionit, Agim Çeku vlerësoi se dinamika e cila ishte e përcaktuar nga Komisioni, është duke u zbatuar, pikërisht në përputhje me vendimet e Komisionit.

Pasi janë përfunduar të gjitha obligimet e marra nga ana e Komisionit, procesi i verifikimit të statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së do të filloj nesër.

“Janë shtypur dhe janë shpërndarë formularët për të gjitha kategoritë në të gjitha zyret e këtyre shoqatave të këtyre kategorive, në të gjitha komunat e Kosovës. kështu që, që nga nesër, veteranët, familjet e dëshmorëve, invalidët, i ftoj që të drejtohen drejt zyrave të shoqatave të tyre nëpër komuna, t’i marrin aplikacionit, t’i plotësojnë ato, dhe t’i dorëzojnë aty ku i kanë tërhequr” tha z. Çeku.

Kryetari i Komisionit, AgimÇeku shpjegoi se të gjithë veteranët duhet që në komunën ku jetojnë dhe aty të aplikojnë, dhe të shkruajnë ku kanë shërbyer, vendin, skuadrën, togun, batalionin dhe brigadën.  Seleksionimi nga ana e Sekretarisë së Komisionit do të bëhet në bazë të brigadave dhe njësive ku kanë shërbyer ata.

“Veteranët duhet të dinë se nuk kanë nevojë që të vrapojnë pas komandantëve, të kërkojnë nënshkrimin e tyre. Mjafton që në formular të cekin njësinë ku kanë qenë, zonën operative ku kanë vepruar, dhe pastaj vetë komandantët do të ftohen që të vërtetojnë atë që aplikantët e prezantojnë” ka shpjeguar z. Çeku.

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së do të publikoj njoftime në media, me sqarimet e nevojshme për aplikim për njohjen e statusit për të cilin aplikohet.